Me rastin e Ditës së Tokës, Këndi i BE-së në Bashkinë Përmet në bashkëpunim me Projektin ” Bashkitë për Evropë” organizuan EkspoForumin “Promovimi dhe cilësia e produkteve lokale”.  Ky forum mblodhi së bashku fermerët, bizneset lokale, autoritetet vendore, autoritetet qëndore dhe grupet e tjera të interesit për të diskutuar në lidhje me vështirësitë dhe sfidat që duhet të kenë parasysh prodhuesit lokalë para se të bëhen pjesë e tregut europian.

Këtë aktivitet e përshëndeti Kryetari i Bashkisë Përmet; Z. Fusco- Menaxheri i Programit për Qeverisjen e Mirë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri; Z. Tolios- Konsulli grek në Gjirokastër dhe Z. Murati- Drejtor i Agjensisë për Vetqeverisjen Vendore.

Pjesëmarrës në panelin e diskutimit ishin ekspertë të standarteve të cilësisë së Bashkimit Europian, përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Drejtori i fondeve IPARD në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësues i Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim ,ProPërmet dhe Cesvi.

Aktiviteti u shoqërua me mbjelljen e disa trëndafilave me rastin e Ditës së Tokës, vizitë në panairin e produkteve lokale dhe këndin e riciklimit të plastikës.