Gjeografia

Përmetit bën pjesë në Qarkun e Gjirokastrës dhe shtrihet në pjesën juglindore të Shqipërisë. Kufijtë gjeografikë janë: Konica dhe Gjirokastra në jug; Skrapari dhe Berati në veri; Kolonja në lindje dhe Tepelena në perëndim.

Ai  bën pjesë në zonat malore dhe kodrinore me reliev tepër të thyer dhe të shumëllojshëm. Territori i rrethit ka shtrirje të madhe në drejtim vertikal, nga 160 metra deri 2485 metra (maja e Papingut në Nëmërckë). 6.3% e territorit shtrihet deri në lartësinë 300 m, 65.3 % mbi lartësinë 300m dhe  28.4% mbi 900 m mbi nivelin e detit.

Territori Bashkisë ka burime të shumta natyrore, të cilat përbëjnë bazën e kontekstit ekonomik të bashkisë. Ndër to, përmendim burimet e shumta ujore. Lumi i Vjosës, një ndër lumenjtë kryesore të vendit tonë, përshkon territorin e bashkisë, duke përbërë aksin kryesor të organizimit dhe komunikimit të komuniteteve lokale në rrethin e Përmetit të cilat kanë një identitet të fortë territorial, për shkak të vendodhjes në luginën e Vjosës. Burimet termale të Bënjës, ujrat e së cilës kanë veti kurative për një sërë sëmundjesh, përbëjnë një nga pasuritë më të njohura të burimeve nëntokësore të zonës. Territori i bashkisë është vendi ku shtrihet edhe masivi pyjor Parku kombëtar «Bredhi i Hotovës». Biodiversiteti i këtij parku është i lartë. Vlerat natyrore, peizazhit dhe ato historike e kulturore ofrojnë potenciale të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit. Zhvillimi ekonomik, nëpërmjet ekoturizmit dhe formave të tjera si sportet ujore etj., lidhen ngushtësisht me menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Klima

Për shkak të pozicionit gjeografik jugor në Përmet takohet klima mesdhetare kodrinore, mesdhetare paramalore dhe mesdhetare malore. Ndërkohë relievi kryesisht kodrinoro malor kushtëzon ndryshime të dukshme në drejtim vertikal deri në shfaqjen e klimës malore. Sasia mesatare e rreshjeve varion nga 1149 mmm në 1355mm. Temperatura mesatare më e lartë është 340C dhe më e ulët është -2 0C.

Popullsia

Popullsia e bashkisë dominohet më shumë nga grupmosha 15-64 vjeç, e cila përbën 66% të popullsisë totale dhe që përfaqëson popullsinë aktive për punë – një tregues i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal. Të gjitha njësitë administrative të Përmetit janë prekur në nivele të larta nga migrimi i brendshëm dhe emigrimi, që shprehet në përqindje shumë të lartë, mbi 50% të popullsisë e larguar në periudhën 2006-2016. Zonat e thella malore pothuajse janë braktisur nga 70-80% e popullatës në dhjetëvjeçarin 2006- 2016. Me përjashtim të qytetit të Përmetit, i cili ka popullsi të përqendruar, njësitë e tjera administrative kanë numër të vogël popullsie për fshat, i cili varion nga 48 për Frashër më ulëti, në 100 për Çarshovë, Petran dhe Qendër Piskovë. Shumica e territorit të bashkisë shtrihet në terren malor, i cili ka kushtëzuar numrin e lartë të fshatrave dhe dëndësinë relativisht të ulët të popullsisë për fshat. Pothuajse  gjysma e popullsisë, rreth 49.6%, jeton në qytetin e Përmetit.

Njësitë administrative Censusi 2011 Regjistri civil 2017
  Femra Meshkuj Total Femra Meshkuj Total
Përmet 2.984 2.961 5945 5.028 4.832 9.860
Carshovë 463 455 918 1.425 1.544 2.969
Petran 791 831 1622 1.550 1.540 3.090
Qëndër Piskovë 845 897 1742 1.602 1.668 3.270
Frashër 177 210 387 314 369 683
Total 5.260 4.904 10.614 9.919 9.953 19.872

Ekonomia

Sektorët si bujqësia, blegtoria, agroindustria, turizmi, tregëtia dhe shërbimet përbëjnë drejtimet ekonomike në të cilat popullata lokale është e përfshirë. Për shkak të natyrës mikse të ekonomisë, banorët janë të punësuar në sektorë të ndryshëm si bujqësi, industri dhe shërbime. Sektori i shërbimeve punëson përqindjen më të lartë të krahut të punës dhe pas këtij sektori renditet bujqësia. Bashkia ka profil bujqësor. Edhe pse sektori i shërbimeve përfaqëson shkallën më të lartë të punësimit, bujqësia përfaqëson sektorin kryesor ekonomik edhe pse ajo karakterizohet nga një sërë problemesh. Shumica e fermave janë të vogla dhe kryesisht familjare. Pemët frurore në pjesën malore dhe vreshtat në pjesën e luginës janë karakteristikë për bujqësinë e Përmetit. Agroindustria përfaqëson sektorin e lidhur ngushtë me prodhimet lokale bujqësore. Ky sektor ka bërë të njohur përmetarët në tregun kombëtar nëpërmjet glikove, reçelnave, rakisë, verës e të tjera prodhime tradicionale lokale që prodhohen në punishtet dhe kantinat. Ky sektor edhe pse punëson një përqindje të vogël të popullatës, shihet si mundësia më e madhe për zhvillimin ekonomik të rrethit. Edhe blegtoria, së bashku me bujqësinë përbën një nga drejtimet kryesore ekonomike të popullatës në pjesën rurale të rrethit. Mbledhja dhe tregëtimi i bimëve etero-vajore dhe medicinale edhe pse aktualisht paraqet potencial të pashfrytëzuar, ka potencialin për t’u kthyer në një aktivitet të rëndësishëm ekonomik për popullatën e zonave rurale, kryesisht malore. Kjo për shkak të shumëllojshëmrisë së këtyre bimëve në territorin e bashkisë. Rivitalizimi i një aktiviteti të tillë është një alternativë që diversifikon ekonominë lokale. Përmeti paraqet një nyje të rëndësishme turistike të vendit tonë. Për shkak të potencialeve që territori ka dhe iniciativave të sukseshme në promovimin territorial nëpërmjet promovimit të produkteve tipike lokale agroushqimore dhe artizanale, Përmeti është kthyer në një destinacion turistik për vendasit dhe të huajt. Territori karakterizohet nga atraksione të shumta natyrore, trashëgimi të pasur kulturore dhe historike si dhe nga një popullsi lokale që dallohet për mikpritje dhe një kuzhinë të pasur e të veçantë. Të gjitha këto krijojnë mundësira për zhvillimin e formave të ndryshme të turizmit, kryesisht të ekoturizmit, agroturizmit, sporteve të ujit, të turizmit kulturor, deri te turizmi kurativ, të gjuetisë, atij kulinar etj. Afërsia me Gjirokastrën, një tjetër nyje turistike e rëndësishme, dhe me Greqinë është një mundësi për zhvillimin më tej të turizmit. Forcimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit mbetet mundësi për thithjen e turistëve të huaj. Për shkak të mundësive më të shumta të punësimit në sektorin e shërbimeve dhe industrisë që gjenden në zonën urbane, qyteti i Përmetit dhe zonës përreth ka mirëqenie më të mirë, krahasuar me zonat që janë të vendosura më larg, veçanërisht atyre malore.

Arsimi

Zona e Përmetit është një zonë e njohur për traditat e saj arsimdashvse. Vërehet një nivel i ulët i braktisjes së shkollës nëntëvjecare, si dhe interes i lartë për vazhdimin e shkollës së mesme dhe studimeve universitare nga ana e të rinjve. Kushtet e shkollave janë relativisht të mira me një numër mesatar prej 25 nxënësish në klasë. Për shkak të migrimit numri i shkollave nëntëvjecare ka rënë me 20%.