Kryeministri premton për mbështetje të projekteve të Bashkisë Përmet.

Natyrshëm, në përmbushje të detyrimit moral të mikpritësit si dhe detyrimit institucional të Kryetarit të Bashkisë, por edhe koherent me filozofinë time qeverisëse se do të bashkëpunoj pa komplekse me cilido që ka në dorë për të ndihmuar Përmetin, kam shoqëruar Kryeministrin në inspektimin që ai dëshironte të bënte në objektet ku aktualisht po kryhen punimet në Përmet .

Kryeministri u interesua dhe unë i bëra një përshkrim të përgjithshëm të gjendjes social- ekonomike si dhe problemeve që kanë sot banorët që përfshin Bashkia Përmet si dhe projekteve të shumta që ka dorëzuar prane qeverisë Bashkia Përmet.
Ai vlerësoi me nota shumë pozitive ripunimin e projektit të qendrës së qytetit që sipas Kryeministrit i ka dhënë tjetër shije Përmetit.
Inspektuam së bashku edhe punimet e bëra në rikualfikimin urban të bllokut të lagjes Partizani ku ai vlerësoi cilësinë e punimeve të kryera.
Kryeministri u interesua edhe për detajet për projektin tjetër të Bashkisë Përmet për hyrjen e qytetit, projekt i cili është miratuar dhe financuar nga Komiteti i Rajoneve dhe shumë shpejt do të fillojë realizimi i tij.

I theksova Kryeminsitrit se, këto investime dhe cdo investim tjetër janë të nevojshëm për Përmetin por, ato zhvlerësohen apo nuk e kanë impaktin e dëshiruar për sa kohë që, përmetarët  e shohin ujin që rrjedh në Vjosë por kanë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre me orar shumë të kufizuar furnizimi. I nënvizova faktin e pamundësise së Bashkisë që me buxhetin e saj të realizojë këtë projekt sepse sikur i gjithë buxheti i saj të përdorej për këte projekt, do ti duheshin së paku 10 vite që ta realizonte.

KRYEMINISTRI, në përgjigje edhe të kërkesave të tjera (të miat por edhe aktorëve të tjerë) që i janë bërë për këtë problem, duke u njohur edhe me faktin që projekti i Ujësjellësit është miratuar teknikisht nga DPUKja , më PREMTOI se, do angazhohet të gjejë mundësinë ta financojë këtë projekt me fonde të qeverisë, cka do t’u mundësojë përmetarëve atë cka meritojnë FURNIZIM TË VAZHDUESHEM ME UJË TË PIJSHËM .

Dëshiroj të ndaj me ju miq, edhe premtimin e Kryeminsitrit për ti dhënë zgjidhje kompromisi dhe përfundimtare problemit të kontradiktave Kishë – Shtëpi Kulture.
Kryeministri theksoi se, një qytet me profil tërheqës e të vecantë turistik si Përmeti, nuk mund të imagjinohet me atë ndërtesë të shkatërruar në qëndren e ristrukturuar të Përmetit. Zgjidhja që do të jepet do të respektojë si të drejtën e komuniteteve fetare por edhe të vlerave kulturore e historike që Përmeti i ka dhënë Shqipërisë. Përmeti, banorët e tij të njohur për harmoninë e bashkëjetesave të ndryshme dhe qendra e një qyteti turistik ka hapeëirë të mjaftueshme për të mos u bërë arenë e ballafaqimeve e përplasjeve të panevojshme e të pakuptimta me natyrë fetare – kulturore .
Përmeti , duhet të jetë në qendër të mediave dhe opinionit publik jo për këto konflikte absurde por për resurset turistike që ofron, mikpritjen dhe joshjen për ta vizituar e shijuar .

Në përfundim, në emër të qytetarëve i shpreha falenderimet për vizitën dhe financimin e projekteve aktuale të Bashkisë Përmet dhe për premtimet që dha për projektet në vijim, vecanërisht atë të UJËSJELLËSIT si dhe e garantova se do të vijoj të jem bashkëpunues me të si KRYEMINISTËR dhe këdo tjetër që ka në dorë mbështeje dhe ndihmë për Permetin dhe banorët e tij .

Niko Shupuli
Përmet më  23.10.2016