Situata e pandemisë nuk pengoi Shoqatën Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare ‘Vëllezërit Frashëri’ për të organizuar si çdo vit eventin kushtuar krenarisë letrare Naim Frashërit.
Këtë vit konferenca shkencore mbante titullin “Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta poetë kombëtarë të pandarë”. Vdekja e Naimit dhe ditëlindja e Fishtës nuk përkojnë rastësisht bashkë. Dy poetët vendosën shpirtin dhe fjalën në themelet e gjuhës shqipe.
Homazhet pranë bustit të Naim Frashërit në pedonalen e qytetit ishin fillimi i eventit duke vijuar me kumtesat letrare për jetën dhe veprat e dy poetëve kombëtar, recetime dhe koncert muziko-letrar me nxënësit e shkollave “Sami Frashëri” Përmet dhe “Idajet Lezha” Lezhë.
Pjesëmarrja e Kryetares së Këshillit të Qarkut znj.Lindita Rova, deputetes znj.Mirela Kumbaro, akademikut Shaban Sinani, Prof. Naim Zoto, poetë dhe historian i dhanë më tepër rëndësi mbrëmjes.
Kombndriçuesit tanë, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, do të jenë të pavdekshëm ndër breza për pasurinë letrare që na lanë pas.