Frashër, 21.08.2020
Pranë shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri, mes natyrës së mrekullueshme të Frashërit të kulturës dhe historisë, sot u zhvillua ceremonia presidenciale për dekorimin e atyre që frymëzuan idealin kombëtar dhe dashurinë për atdheun.
Vëllezërit Frashëri, figurat e kulturës dhe letërsisë shqiptare, u vlerësuan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta me titullin “Dekorata e Flamurit Kombëtar”, për:
Abdyl Frashërin, si atdhetari më i shquar në luftën për trojet shqiptare dhe bashkimin e shqiptarëve, ideolog i Rilindjes Kombëtare, organizator i Lidhjes së Prizrenit, politikan dhe gjuhëtar.
Sami Frashëri, ideolog i Rilindjes Kombëtare, atdhetar, gjuhëtar, dijetar , nxitës i vlerave të dijes , emancipimit , shkollimit dhe kurajës qytetare, vigan i mendimit filozofik me vizion perëndimor dhe strategjisë për shtetformimin dhe përparimin e Shqipërisë.
Naim Frashëri, për kontributin në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe Rilindjes kulturore, letrare në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë, misionar, mësues dhe krijues i cili bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, identitetit dhe lirisë së shqiparit.
Me titullin “Mjeshtër i Madh”, u vlerësua z. Kastriot Bezati, si studiues i spikatur, historian, muzeolog me aftësi profesionale dhe vlera kombëtare, veprimtar dhe intelektual, në lartësimin e figurave,institucioneve kombëtare dhe monumenteve të historisë dhe artit në Shqipëri.
Respekt dhe mirënjohje për figurat që ndriçuan mendjet tona dhe na treguan se atdheu jonë është më i bukuri dhe shqipja gjuha më e embël.
Dita e sotme, le të shërbejë për të treguar vëmendje më të madhe nga të gjithë ne dhe për ti hapur rrugë investimeve të reja për këtë zonë plot vlera.