17 MAJ 2019 – Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Devoll, në bashkëpunimin me drejtuesen e Njësisë homologe në Bashkinë Përmet, në kuadër të Javës së Evropës, organizoi një seancë informuese me të rinjtë e Devollit për programin Erasmus+.

Në këtë takim morën pjesë rreth 20 nxënës ekselentë të gjimnazit të qytetit. Fillimisht u zhvillua një diskutim i hapur me të rinjtë mbi Bashkimin Europian dhe proçesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Të rinjtë ishin disi të informuar për këto tema por jo plotësisht.

Më pas Drejtuesja e Njësisë së Koordinimit të Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Përmet, informoi të rinjtë rreth mundësive që ofron program Erasmus Plus në Shqipëri dhe u ndal  kryesisht tek shkëmbimet rinore, vullnetarizmi dhe trajnimet, pasi këto mundësi targetonin këtë grup-moshë.

Pjesa më e madhe e të rinjve nuk kishte informacion për këtë program por kurioziteti dhe dëshira e tyre për të përfituar nga këto mundësi ishte e madhe.

Nga ana e koordinatorit së Njësisë së Integrimit Evropian, të rinjve iu bë e ditur se pranë Këndit të BE-së në Bashkisë Devoll ata mund të gjejnë informacionet që u nevojiten në lidhje me Bashkimin European. Aktivitete dhe bashkëpunime të tilla do të të vazhdojnë dhe në të ardhmen.