Bëhuni pjesë e tryezës Përmetare duke festuar ardhjen e Pranverës!
Jetoni dhe ndani me ne emocionet e një prej festave familjare më popullore të trevës tonë! Urdhëroni të shijoni gatesat e shumta përmetare që sipas zakoneve tona, më 14 Mars, mbyllin një sezon dhe hapin një tjetër, nga koleja & qingji i mbushur, kulaçi i bekuar & përvlaku, kulaçkat me finjë & qumështori me kulloshtër..
Vallëzoni me ne, lidhni verojkën, bëhuni pjesë e lojrave të bukura popullore, kapërceni zjarrin me dëllinja dhe çoni në shtëpi degën e thanës për një vit sa më të mbarë…
Për të kuptuar më mirë çfarë i mban të bashkuara duart e komunitetit tonë të vogël dhe në mbështje të iniciativës botërore të Slow Food International: “Menuja për ndryshim/ Menu for change”, ju ftojmë të bëheni pjesë e kornizës së Ditës së Verës përmetare dheeeee…, kujdes!!! sepse edhe dera juaj mund të trokasë për një ëmbëlsirë apo frut… A jeni gati?!

Zbuloni ç’do ndodhë gjatë Festës…(programi, menu-ja & historiku)
KAPËRCIMI I ZJARRIT ME DËLLINJA – lini pas të ligat dhe merrni urimin për një stinë të begatë…
DREKA TIPIKE E DITËS SË VERËS – gatesa unike që sipas zakoneve tona shtrohen në tavolinë ditën e festës
TRYEZA E KUZHINËS SË TRE BREZAVE – shfaqje live e gatesave tipike përmetare me shef Urim Jaçe, Aleanca Slow Food e Kuzhinerëve, gjyshe përmetare & të rinj… (gatesa surprizë).
NXJERRJA E RAKISË AKOMA EDHE SOT SI DIKUR… – demostrim i nxerjes së rakisë me kazan bakri & llulla nga artizani Marsel Daco.
BLUARJA ME MOKËR , HAVANI & DYBEKU – demostrim nga prodhuesi Sulejman Dalipi
SAZET E PËRMETIT, SAZET E KËLCYRËS, VALLE NGA VAJZAT E PËRMETIT SI DHE KËNGËTARI SURPRIZË – tingujt e mirënjohur të gërnetës & sazet, vallet tona që i kanë dhënë gjithnjë jehonë trevës tonë si dhe…
EKSPOZITË E PRODHIMEVE TË FERMERËVE PËRMETARË – fermerë nga rrethi do të jenë prezentë me prodhimet e tyre me të cilat përgatiten gatesat e “Ditës së Verës”.
KËNDI I BLEGËTORËVE – vatha e kafshëve të fermave përmetare…
KËNDI I BIMËVE – ku do të gjeni farat autoktone të trevës sonë…
KËNDI I RICIKLIMIT – si të ruajmë ambjentin dhe të jemi miqësorë me të…
STEND ME PRODUKTE TIPIKE DHE ARTIZANALE – arti i duarartëve të trevës së Përmetit …
RECETAR I MENUSË SË DITËS SË VERËS DHE KËNDI I VIZATIMIT – shkruar & dizenjuar nga fëmijët e shkollave të rrethit tonë.
LE TË NJOHIM MË SHUMË LËVIZJEN BOTËRORE SLOW FOOD – “Kush është? Ku është? Çfarë bën?”
QYTETI I TRËNDAFILAVE – mbjellja e trëndafilave në lulishten e qytetit tonë. Tradita vazhdon….
LOJRA POPULLORE ARGËTUESE GJITHPËRFSHIRËSE – molla “rrotulluese”, garojmë të lidhur, kush arrin i pari & surpiza të shumta për fituesit…!!
DALJET PËR “OZI-BOZI” – fëmijët do të mblidhen dhe do të dalin me shporta në duar duke kënduar “oziiii, boziiii …”, ndërkohë që shportat mbushen me ëmbëlsira.

*MENU*
Vezë fshati të ziera në ujë dhe lëpushka qepe – 30 lekë
Tavë me lëpjetë guri dhe lulëkuqe – 70 lekë
Qofte të rrema – 30 lekë (3 qofte)
Kulaç i rrokullisur nga kodra – 20 lekë
Byrek me hithra – 50 lekë
Kole me vezë fshati dhe djathë dhie – 250 lekë (2 vezë)
Këmbëdhie me oriz, lakra të egra & pastërma- 200 lekë
Qingj i mbushur me kulaç&gështenja të Odriçanit-200 lekë
Mish në saç&në hell – 300 lekë
Mesnik – 100 lekë
Byrek me reshedie – 100 lekë
Salcë në shakull – 100 lekë
Domate të thara të kaluara në tigan – 20 lekë (4 copë)
Përvlak – 20 lekë
Bobole të ziera në dorje – 20 lekë
Kulaçka të ëmbla me finjë – 20 lekë
Petulla me mjaltë, arra & bajame – 50 lekë (2 copë)
Qumështor me kulloshtër – 50 lekë
Gliko arre – 50 lekë (2 copë gota)
Llokume me arra – 30 lekë
Llokume të bajamta – 40 lekë
Raki Moskat – 50 lekë
Verë e kuqe Shesh i Zi – 80 lekë
Verë autoktone Debinë e bardhë – 100 lekë
Rehani rrushi – 100 lekë
Rehani thane – 80 lekë
Rehani kumbulle – 80 lekë
Shëndetëlli – 70 lekë
Dredhanik – 70 lekë
* Çmimet janë simbolike për të na ndihmuar në realizimin e eventit. FALEMINDERIT!

*PROGRAMI*
13 Mars 2018 – Pragfesta e Ditës së Verës…
Ora 17:00 – Grumbullimi i fëmijëve në sheshin e qytetit tek SHTËPIZA ekologjike e informacionit të Slow Food Përmet për DALJET “OZI-BOZI”
Ora 19:00 – KAPËRCIMI I ZJARRIT ME DËLLINJA…

14 Mars 2018 – Dita e Verës përmetare
Ora 10:00 Festa fillon te Ushtari Panjohur me fjalimin hapës….
Ora 10:30
 LOJRAT POPULLORE – Shëtitorja “Odhise Paskali”
 MBJELLJA E TRËNDAFILAVE – Lulishtja e qytetit
 SAZET E PËRMETIT + SAZET E KËLCYRËS “LIVE” &… – Ushtari i Panjohur
 DEMOSTRIMI I NXJERRJES SË RAKISË – Sheshi “Abdyl Frashëri”
 DEMOSTRIMI I BLUARJES ME MOKËR GURI, PUNA ME HAVAN & DYBEK – Sheshi “Abdyl Frashëri”
 DYQANI ME PRODUKTE TIPIKE DHE ARTIZANALE – Sheshi “Abdyl Frashëri”
 KËNDI I BIMËVE – Shëtitorja “Odhise Paskali”
 KËNDI I RICIKLIMIT – Shëtitorja “Odhise Paskali”
 KËNDI I FERMERIT – Shëtitorja “Odhise Paskali”
 KËNDI I BLEGËTORËVE – Shëtitorja “Odhise Paskali”
 NJOHJA ME LËVIZJEN SLOW FOOD – Shëtitorja “Odhise Paskali”
Ora 11:00 TRYEZA E KUZHINËS SË TRE BREZAVE – Sheshi “Abdyl Frashëri”
Ora 11:45 HAPJA E STENDAVE ME GATESAT E DITËS SË VERËS – Sheshi “Abdyl Frashëri”

*Historiku i Festës dhe traditave tona*
Një ditë më parë, nuset dhe vajzat Përmetare zgjohen me harenë e çmuar në shpirt dhe, ndërsa fëmijët vallëzojnë nëpër shtëpi, nisin përgatitjet e gatimeve tipike. Nuk mund të mungojnë vezët e fshatit të ngjyrosura me lëpushkat e qepëve e as kulaçi, byreku me hithra dhe qumështori, kulaçkat e ëmbla me finjë apo byreksheqeret.. .
Çka mbetet gjithmonë unike në guzhinën Përmetare është mënyra sesi i jepet vlerë shpirtërore çdo gatimi. Ditën e Verës në mëngjes, kulaçi rrokulliset nga kodra dhe bujku i parë që e kap është i bekuar me begati në arat e tij dhe në familje. Një tjetër veçanti qëndron te qumështori që për Nënën Natyre cilësohet si çelësi i ardhjes së Pranverës dhe shtimit të qumështit të bagëtisë. Sipas gojedhënave rrezet e Marsit bëjnë fytyrën me quka por, hithra i mban ato larg, ja përse haet byreku me hidhrat e para të njoma të stinës…
Në dorë, çdokush vendos një verojkë të bardhë me të kuqe, e cila mbahet deri sa të pikaset dallëndyshja e parë në qiell. Më pas ajo hiqet dhe varet në degën e trëndafilit ose thanës së bashku me një dëshirë të shprehur. Kështu besohet se dallëndyshja do ta gjejë verojkën dhe dëshira do të realizohet.
Ajo çka të mbush me mall dhe të kthen pas në kohë janë hapat e fëmijëve pasditen e 13 Marsit, zërat e tyre nëpër oborret e gurta dhe daljet për ozi-bozi nëpër rrugicat e ngushta me kalldrëm… Me shporta nëpër duar, ecja e tyre valltareske i jep jetë dhe atmosferë festës dhe në darkë vonë shportat janë mbushur me vezë, arra, ëmbëlsira dhe fruta nga shtepitë e e pafundme që fëmijët vizitojnë.
Ditën e Verës, meret një degë thane, me të cilën “goditet” 3 herë trupi i pjesëtarëve të familjes në mënyrë që thana të kalojë fuqinë e saj në trupin e tyre. Gjithashtu futet në shtëpi një tufëz bar i njomë dhe ujë burimi, simbol i mbarësisë dhe pastërtisë. Fëmijët zgjohen herët për ritualin e Ditës së Verës, ngrënien e vezës së lyer me lëpushkat e qepës që t’u skuqen faqet dhe të rriten të shëndetshëm. Me ujin e vezëve, nënat u pastrojnë sytë të vegjëlve si urim për një zgjim të shpejtë dhe lutje që fëmijët të mos bëhen dembelë, por punëtorë si baballarët e tyre.
Gjatë festës përgatitet një zjarr me degë dëllinje dhe gjyshet thonë se fëmijët duhet ta kapërcejnë zjarrin që t’u largohen të këqiat.
Muzika popullore dhe të gjitha këto festime mirëpresin me dashuri dhe përkushtim dy mikesha të dashura:Pranverën dhe Verën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

clear formPost comment